Pse njerëzit pinë duhan?
Shumë njerëz pohojnë se duhani i bën më të zgjuar dhe se e përmirëson koncentrimin e tyre. Të tjerë pohojnë se duhani i qetëson, sidomos kur ndjehen të frikësuar ose janë nën stres. Është rëndë të kuptohet se si cigaret në të njejtën kohë mund edhe t'i qetësojnë njerëzit por edhe t'i mbajnë të zgjuar, ose pse njerëzit kthehen kah cigaret kur ndjehen të kënaqur, kur kanë dëshirë të qetësohen ose të koncentrohen. Kjo mund të sqarohet nëse dihet se në tymin e cigareve gjenden rreth 4000 materie të ndryshme kimike. Disa nga këto substanca shkaktojnë lirimin e sedativëve natyralë ose stimulansëve në tru, të cilët ndikojnë në sjelljen e njeriut.
A shkakton pirja e duhanit varësi?
Duhanpirësit bëhen të varur në tre mënyra të ndryshme. Ata mund të pinë nga shprehia, si përgjigje ndaj disa ndjenjave ose të jenë të varur fizikë nga nikotina që gjendet në tymin e cigareve.
Njerëzit që pinë duhan nga shprehia, më së shumti pinë në situata të caktuara. Këta njerëz pinë mekanikisht, duke mos qenë të vetëdijshëm për këtë dhe pa nevojë të vërtetë për cigare.
Të tjerë pinë më shumë kur janë nën stress, kur janë të hidhëruar, të padisponuar ose pinë nga bezdia. Nevoja e tyre për cigare është e shkaktuar nga nevoja për përkrahje emotive.
Pjesa më e madhe me vështirësi heqin dorë nga duhani pasi që bëhen fizikisht të varur nga nikotina. Varësia nga nikotina fillon atëherë kur duhani pihet rregullisht.
Është e mundshme të jeni të varur në njërën apo në të gjitha mënyrat të treguara më lart. Sa më gjatë që pihet, sa më shumë cigare pihen në ditë, aq më e vështirë është heqja dorë.
Pse të rinjtë fillojnë të pinë duhan?
Shumica e njerëzve fillojnë me duhanin në vitet e adoleshencës dhe bëhen duhanpirës të rregullt si të rritur. Hulumtimet sugjerojnë se shumë pak njerëz e kanë filluar duhanin si të rritur. Pse të rinjtë fillojnë të pinë duhan kur ekzistojnë aq shumë informata për efektin e dëmshëm të duhanit në orgnizëm? Mendohet se të rinjtë janë të tërhequr nga fotografia e cila lidhet me duhanin. Industria e duhanit ka krijuar fotografi se pirja duhan është “kull”, e sofistikuar, dhe seksipile. Të rinjtë zakonisht fillojnë për shkak të imixhit social, të cilin ata duan ta prezantojnë para të tjerëve. Është e besueshme që të rinjtë do të fillojnë të pinë duhan nëse shokët e tyre pinë ose nëse vuajnë nga ndjenja e nënçmimit. Në disa shoqëri, duhani është shumë prezent.
Pse duhet ndërprerë me duhanin?
Sot, në vendet e zhvilluara duhani shihet si një sjellje anti-sociale, e cila është retrograde dhe e dënuar në vende publike.
Duhani shkakton që flokëve dhe robave tuaja t'ju vijë era e keqe. Ju shkakton erë të keqe nga goja.
I ngjyros dhëmbët dhe gishtat e tuaj me ngjyrë të verdhë.
Ndikon që lëkura juaj të plaket para kohe.
Duhani ndikon në shqisat tuaja për shije dhe erë, duke i bërë më pak të ndjeshme.
Duhani mundet vërtetë ta dëmtojë organizmin. Ai është shkaku më i shpeshtë për kancerin e mushkërive, fytit dhe gojës.
Për dhjetë herë e zmadhon rrezikun e vdekjes, i shkaktuar nga pika në tru/zemër.
Duhanpirësit vuajnë shpesh nga bronkiti dhe nga emfizema (sëmundje tek të cilat materiet kimike të cigareve shtresohen në mushkëritë dhe shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje).
Nuk është e domosdoshme të keni bronkit ose emfizem që t'i ndjeni efektet e duhanit në frymëmarrjen. Provoni të notoni , të luani futboll ose aerobik, nëse pini duhan frymëmarrja gjatë ushtrimit do të jetë e vështirësuar.
Nëse pini duhan për një kohë të gjatë, mund të fitoni sëmundje të quajtur sëmundje vaskulare periferike. Kjo sëmundje nënkupton ngushtim të enëve të gjakut me zvogëlim të qarkullimit të gjakut në duar në dhe këmbë dhe paraqitje të gangrenës me amputim të ekstremiteteve.
Meshkujt duhanpirës kanë numër më të vogël të spermatozoidëve dhe më shumë spermatozoidë abnormal, në krahasim me ata që nuk pinë.
Femrat duhanpirëse kanë më shumë probleme për të mbetur shtatzënë në krahasim me ata që nuk pinë dhe kanë përqindje më të madhe të abortuseve spontane gjatë shtatzënësisë. Tek gratë shtatzënë duhani mund ta dëmtojë frytin.
Pirja e duhanit në sipërfaqet ku rrijnë fëmijët do të thotë që edhe fëmijët pinë duhan në mënyrë pasive. Ata fëmijë ftohen më shpesh, fitojnë më shpesh inflamacion të veshit dhe sëmundje respiratore, siç është astma.
Pas ndërprerjes së duhanit organizmi regjenerohet shpejt:
Nikotina e lëshon organizmin pas dy orësh, ndërsa substancat tjera kimike siç është monooksidi i karbonit humben nga gjaku tek pas 12 orësh. Produktet anësore nga nikotina zhduken pas dy ditësh.
Gjatë dy muajve të ardhshëm, përmirësohet qarkullimi i gjakut në duar dhe në këmbë, ndërsa mushkëritë fillojnë të ripërtrihen gjatë tre muajve të ardhshëm.
Përmirësohet shqisa e të nuhaturit dhe e shijes, lëkura e humb ngjyrën e përhimtë ndërsa organizmi lirohet nga era e duhanit.
Njëri nga shkaqet për shkak të cilëve duhet të hiqni dorë është ana financiare-do të kurseni. Cigaret janë të shtrenjta. Llogaritni se sa ju kushton për një vit. Me ato para mund të paguani një pushim të shkëlqyer, ose të bleni një stereo sistem të bukur.
Ç'ndodh nëse e zvogëloj pirjen e duhanit?
Nuk ekziston nivel i sigurtë i pirjes së duhanit dhe në realitet kjo nuk funksionon. Është treguar se njerëzit që e kanë zvogëluar numrin e cigareve thithin më shumë tym nga secila cigare, e thithin më thellë dhe e mbajnë më gjatë në mushkëri. Kjo në fakt do të thotë se ata pranojnë sasi të njejtë të nikotinës dhe të substancave kimike, nga më numër i vogël cigaresh. E njëjta gjë ndodh edhe nëse e ndryshoni brendin duke kaluar në brend me përmbajtje më të ulët të nikotinës (variante ultralajt).
Si mund të heq dorë nga duhani?
Askush nuk thotë se heqja dorë nga duhani është gjë e lehtë, sidomos nëse keni pirë rregullisht, për një kohë të gjatë. Sigurisht do të duhet të ballafaqoheni me “uri” për cigare sidomos në situata të caktuara, edhe për shkak të varësisë nga nikotina. Megjithatë, njerëzit për çdo ditë me sukses heqin dorë nga duhani.
Përgatituni të paktën disa ditë më parë. Zgjidheni ditën kur do të ndërpritni, dhe i hidhni të gjitha cigaret që i keni në shtëpi një natë më parë. Informoni anëtarët tjerë të familjes se keni vendosur të hiqni dorë nga duhani në ditën e caktuar dhe planifikoni si të veproni që t'i zbutni krizat e urisë për cigare, të cilat sidoqoftë do t'i ndjeni ditët e para. Duhet të dini se çdo krizë zgjat rreth 3-5 minuta, dhe nëse arrini të mos ndizni cigare, këta kriza do të humbasin.
Si t'i kundërviheni nevojës urgjente për cigare derisa të kalojë kriza? Ndihmon nëse merrni frymë thellë, kjo u angazhon të mos mendoni për cigaret. Pini sasi të mëdha të ujit, kjo do t'ju freskojë dhe do t'ju angazhojë, derisa të kalojë kriza. Bëni diçka tjetër, që do t'ua tërheqë vëmendjen dhe do t'ju mbajë më larg nga cigaret, por largojeni ushqimin, pasi që ai sjell rreziqe tjera.
Mbahuni më larg nga njerëzit që pinë duhan dhe mos shkoni në vende ku pihet duhani (kafene, pabe, bare dhe klube nate). Shpesh njerëzit më vështirë heqin dorë nga duhani në qoftë se pijnë alkool.
Largojeni shprehinë e cila ju shtyn të pini duhan. Për shembull dilni të shëtitni pas ushqimit, ose telefoni nga telefon tjetër ku nuk mund të pini duhan.
Heqja dorë nga duhani nuk është e lehtë dhe nuk ka sukses secili gjatë orvatjes së parë. Si duket shumicës së njerëzve u nevojiten më shumë orvatje para se të kenë sukses në qëllimin e tyre dhe secila orvatje e ardhshme është më e lehtë. Ndonjëherë mund t'ia lejoni vetes të “provoni sërish”, nëse jeni në aheng dhe pini 1-2 cigare. Mos pini sërish ditën e ardhshme ose pas ahengut.
Si të ballafaqohem me simptomat e apstinencës?
Është e besueshme që një kohë pas ndërprerjes do të ndjeheni keq, pasi që organizmi juaj vuan për shkak të varësisë nga nikotina. Nëse organizmi i cili është i mësuar të ketë koncentracione të larta të substancave kimike në gjak, dhe përnjëherë mbetet pa ta , do të ndjeni një seri të simptomave fizike. Bëhet fjalë për një varësi të një lloji, siç është varësia nga heroina dhe alkooli.
Mund të shfaqet kollitje. Mushkëritë tuaja mundohen të lirohen nga shtresat që janë shtresuar me kohë.
Shpesh paraqitet kaps ose diarre të cilët zgjasin disa ditë, mundet të paraqiten edhe simptoma të tjera digjestive.
Mund të praqitet kokëdhembje, disponim i keq, lodhje, marramendje.
Këto probleme nuk paraqiten te secili dhe janë të përkohshme. Sa më gjatë që organizmi juaj është pa nikotinë, simptomat e apstinencës do të jenë më pak të shfaqura. Simptomat apstinenciale mund të lehtësohen me goma për përtypje të nikotinës ose me ngjitëse të nikotinës. Shumica frikësohen se nëse hekin dorë nga duhani do të fitojnë në peshë. E vërteta është që jo të gjithë ishduhanpirësit shëndoshen, dhe ata që shëndoshen zakonisht fitojnë vetëm disa kilogram. Kjo është e përkohshme dhe gjithsesi më pak e dëmshme se sa të vazhdohet pirja e duhanit. Nëse jeni të brengosur se do të shëndosheni, gjatë heqjes dorë nga duhani kombinoni ushqim të shëndetshëm dhe aktivitete fizike të rregullta. Kjo do të ndihmojë që t'ju përmirësohet shëndeti në përgjithësi.
Si t'i ndihmojmë tjetrit që të heqë dorë nga duhani?
Më kryesorja që mund ta bëni për ndonjë që orvatet të heqë dorë nga duhani është t'i jepni përkrahje dhe ta inkurajoni. Mundohuni ta kuptoni nëse është i disponuar keq ose ndjehet si i sëmurë. Njerëzit mund të heqin dorë nga duhani vetëm në qoftë se e bëjnë këtë vetë dhe për vehten. Ata që pijnë duhan nuk do të mund ta ndërpresin duhanin, vetëm pse ju e dëshironi këtë. Sigurisht puna më e keqe që mund ta bëni është t'i sulmoni. Kjo vetëm do të shkaktojë rezistencë nga ana e duhanpirësit, që të bëhet ende më i determinuar në aspekt të duhanit.
Si është regullorja ligjore?
Ligji ndryshon në varshmëri nga ajo se ku jetoni. Në vendin tonë është i ndaluar reklamimi i cigareve në të gjitha format e mediave dhe në shumicën e ndeshjeve sportive. Sipas ligjit, në çdo pako të cigareve duhet të ketë paralajmërim shëndetësor. Duhani është i ndaluar në shumicën e vendeve të punës dhe vendeve publike siç janë shitoret dhe kinematë. Është e ndaluar shitja e cigareve personave nën 18 vjet. Janë të ndaluara makina automatike për shitjen e cigareve përveçse në hotelet dhe në vende tjera të licencuara për shitje.
si epaske gjet ket temen fiks :)i like this go on like this :))
ReplyDeleteahhahaha..rrofsh per komentin..;)..:)..flm..
ReplyDelete