
Kemi mësuar se në rastet e përsëritura, drejtorët e gjimnazeve i kanë kthyer në shtëpi vajzat e trukuara rëndë, të veshura me taka të larta, apo ato pa uniformë...Më tolerantë në këtë aspekt kanë rezultuar drejtorët e shkollave private, të cilët kanë hedhur tej 'vlerat në këmbim të parave. Kështu, si vajzat, ashtu edhe djemtë e këtyre shkollave pranuan se askush nuk u kërkon llogari për devijimet në look apo në uniformë. Madje, disa prej djemve tregojnë për "Gjimnazistët" se ky lëshim që i bëhet vajzave, i detyron ata t'i ngacmojnë ato, duke provokuar jo rrallëherë edhe sherre mes njëri-tjetrit...Në vijim do të sjellim për ju disa prej rasteve ku bëhet evident ky problem, si dhe pasojat jo fort të këndshme që shkakton përdorimi i tepërt i makiazhit...

"Pasqyrë moj pasqyrë, pa më thuaj si po të dukem sot?" Është kjo pyetja që zotëron mendjen e adoleshenteve të sotme. Të gjithë e dimë mirë se vajzat, ndoshta më shumë se djemtë, janë të prira t'i kushtojnë një rëndësi shumë të madhe paraqitjes së tyre. Është i pamohueshëm fakti që paraqitja fizike meriton vëmendje maksimale, ashtu sikundër vlen për t'u vënë në dukje se një vëmendje e tillë justifikohet për sa kohë ajo nuk cenon mbarëvajtjen e të tjera aktiviteteve, pjesë e së përditshmes së kujtdo. Duket se, ndonëse rregullorja e shkollave tona shtetërore e private e parashikon si të dënueshme praninë e grimcave të "make-up"-it, rimelit, tonit, lapsit e shkëlqyesit në paraqitjen e vajzave, këto të fundit sidomos kur arsimohen në një institucion privat nuk e marrin fare për bazë një rregull të tillë, duke iu shmangur hapur atij.
Kjo shmangie nuk vihet re vetëm në momentin që një nxënëse tenton të kalojë pragun e portës, e lyer në një mënyrë krejt të pahijshme për një institucion edukativ. Më së shumti ky fenomen po bëhet shqetësues për mësuesit e gjimnazeve private e publike, për arsye se në pjesën dërrmuese të çantave, portofolave e bankave të çdo vajze gjendet një pasqyrë, së cilës çdo herë e më tepër i kushtohet rëndësi maksimale, duke lënë në hije atë që referon mësuesi gjatë një ore mësimi.

Pasqyra po shndërrohet kështu në armikun e çdo mësuesi, së bashku me ato, nxënëset që injorojnë totalisht orën e shenjtë të mësimit, duke iu përkushtuar krehjes së një vetulle, ngrirjes së qerpikëve, mundësisht me të gjithë sasinë e rimelit në dispozicion, si dhe patinimit të fytyrës me të famshmin 'make up', aq të dashur prej tyre. Por, përveçse të vërë në dukje një problematikë të tillë, e cila po bëhet dita-ditës më shqetësuese, ky artikull ka dhe një tjetër synim.
Dermatologët
Një grimcë "diethylhexylphtalat e", një gram nonyphenol, pak hidrokarbur aromatik policiklik, pak myshk sintetik... me siguri do të mendoni se bëhet fjalë për përbërësit e ndonjë porcioni magjik. E pra gaboheni! Janë vetëm disa nga qindra substanca kimike sintetike që gjenden në përbërjen e parfumit, kremit, make up-it, pudrës, tonit, gloss-it, rimelit apo lapsit tuaj të preferuar. Substanca të tilla futen "klandestine" në përbërjen e produkteve kozmetike, duke dhënë efekte anësore shumë të dëmshme në organizëm. Termi "klandestine" nënkupton ato substanca, prania e të cilave ndalohet me ligj në çdolloj produkti kozmetik. Jo pa shkak, udhëzimet e Qendrës Europiane për Produktet Kozmetike ndalojnë praninë qoftë edhe të grimcave të këtyre substancave të cilat mund të jenë kanceroze, mutagjene dhe në disa raste të shndërrohen në pengesë serioze për riprodhimin tek femrat.

Rreziku
Pesë substanca janë të paasimilueshme nga organizmi njerëzor. Ato prodhohen nga dora e njeriut, me qëllim zëvendësimin e atyre elementëve natyrorë që shterojnë. Një veprim i tillë sjell si pasojë, që ndryshe nga substancat natyrale, lehtësisht të pranueshme e të tretshme nga organizmi njerëzor, substancat sintetike të mos pranohen duke u akumuluar në organe të ndryshme e duke i dëmtuar ato gradualisht. Çfarë mund të bëjmë për të shmangur një problem të tillë? Së pari është e nevojshme të njihet përmbajtja e parfumit, kremit, make up-it, pudrës, tonit, gloss-it, rimelit, lapsit apo çdo lloj produkti tjetër kozmetik përpara përdorimit të tij. Së dyti, asnjëherë mos u besoni etiketave, pasi ato u përshtaten interesave të prodhuesit, shpesh duke mos treguar përmbajtjen e vërtetë të produkteve. Së treti, kini shumë kujdes se ku i blini produktet tuaja kozmetike. Shpesh kur shohim një "gloss" 100 lekësh në një karrocë buzë rrugës, menjëherë priremi ta blejmë pa u menduar gjatë. Ky fenomen duhet shmangur.
Vende të tilla si tregjet, karrocat e rrugës, dyqanet e shumicës, dyqani i lagjes apo supermarketet, nuk janë vendet ideale për zgjedhjen e produkteve të duhura kozmetike. Ekzistojnë pika profesionale që shesin produkte të cilësisë së parë e që garantojnë kujdes maksimal për lëkurën tonë. Së fundmi, çka është shumë e rëndësishme, është shmangia në maksimum e përdorimit të produkteve të tilla si make-up, krem nate, krem dite, rimel me shumicë apo 'gloss' të cilësisë së ulët. Për adoleshentët, këto janë produkte që nuk e rregullojnë paraqitjen e tyre, përkundrazi, e përkeqësojnë atë, duke ia larguar fytyrës freskinë e moshës. VAJZA! Kushtojini më shumë rëndësi procesit mësimor, duke mos e cenuar atë me elemente që karshi tij kanë rëndësi minimale! Gjithashtu, nëse dëshironi të keni atë që quhet lëkurë e freskët, e butë dhe e pastër si bora, shmangni përdorimin e produkteve kozmetike, që nuk bëjnë tjetër gjë veçse ju dëmtojnë dhe zëvendësojeni ato me sa më shumë ujë.
-ADMIN-
No comments:
Post a Comment