Dy gazetarë të "Shekulli-Kontakt" kanë qenë 10 ditët e fundit, në kontakte të vazhdueshme me nxënës të ndryshëm të shkollës "Asim Vokshi" në Tiranë. Mblodhëm fshehtas dëshmi rreth fenomeneve më shqetësuese të shkollës së sotme: Droga, seksi, alkooli, dhuna, diskriminimi... Nuk kemi qenë tendenciozë në pyetjet tona, madje kemi bërë të qartë që nuk na intereson të bëjmë skandal, duam vetëm të dimë të vërtetën, edhe nëse ajo është: nuk ka drogë, nuk ka seks, nuk ka asgjë negative. Shumica e atyre që pyetëm nuk e dinin që ishim gazetarë, shumë të tjerë janë nxënës, tek të cilët kishim besim reciprok për shkak të lidhjeve të mëparshme.
***
Vëzhgimi ynë, përfshiu shkollat "Asim Vokshi" (prej nga janë shumica e dëshmive), "Besnik Sykja", "Petro Nini", "Sinan Tafaj". Dëshmitë përputhen. Fatkeqësisht droga, e sidomos hashashi, përdoret gjerësisht, por edhe një tjetër drogë e quajtur ekstazi, po përhapet me shpejtësi. Konsumatorët janë në shumicë meshkuj. Thuajse të gjithë e kanë provuar së paku një herë, por tipat punk-rock, apo metalarët, (edhe rrepistët nuk bien poshtë) janë në krye të listës... Adoleshentët madje kanë nisur t'i identifikojnë këto rryma me pijen e alkoolit, ekstazit dhe hashashit. Nga dëshmitë tona me nxënës të shkollës, del se për fat të mirë, ende nuk janë përhapur drogat e forta brenda shkollës.
Droga shpërndahet nga vetë ata që e konsumojnë. Mbahet në qese të vogla, mbështjellë me letra apo në paketa bosh cigaresh, bashkë me fletët të cilat i përdorin për ta dredhur. Një cigare hashash e gjen nëpër shkolla edhe me 1 mijë lekë të vjetra, ndërsa një "treshkë" (siç e quajnë "mallistët" me gjuhën e tyre, cigaren që del si kaush nga bashkimi i tri fletëve dhe që më pas mbushen me duhan të përzier me hashash, sipas dëshirës), kushton nga 2 deri në 5 mijë lekë, sipas cilësisë dhe miqësisë. Po kaq të përhapura dhe të preferuara kanë nisur të bëhen kokrrat e extasy-t (ekstazi) të cilat, pas pirjes së tyre nga goja, të krijojnë një efekt të përngjashëm me të qënurit i dehur apo droguar, që mund të zgjasë për disa orë, në varësi të dozës, llojit të saj dhe organizmit të konsumuesit. Ato kushtojnë 8 mijë lekë secila, shitësit i mbajnë brenda disa tubetash dhe një tub i gjatë ka rreth 8-10 kokrra ekstazi. Kemi të dhëna që ekstazi po përhapet me shpejtësi, thuajse në të gjitha gjimnazet dhe ambientet e tjera të të rinjve, në Tiranë.
***
Për sa i përket alkoolit, konjaku është më i preferuari për adoleshentët. Kjo, për shkak se pija në fjalë, kur është prodhim vendi ka dhe çmim më të përballueshëm. Është dhe vodka, që kushton më lirë, por "nuk është në modë". Ajo etiketohet si "pije pleqsh" apo të "alkoolizuarish" prej gjimnazistëve. Konjakun, ndonjëherë në të rrallë, e blejnë edhe me shishe. Mund të konsumohet prapa shkollës, por këtë gjë, sipas dëshmive, nuk e bëjnë shpesh, jo për faktin se kanë frikë, por "nuk shijon pija nëpër banka, duhet njëfarë ambienti!". Baret rrotull shkollave janë një pikëtakim më i përshtatshëm. Meqë jemi tek këto bare afër shkollave, ato rezultojnë, sipas kërkimit tonë, nga më problematiket si vend-strehim për pirje duhani, alkooli, droge. Do ishte mirë, që afër shkollave të mos kishte lokale që tregtojnë pijet alkoolike.
***
A bëjnë adoleshentët seks? Ku e bëjnë dhe nëse po, a marrin masa mbrojtëse?
Këtyre pyetjeve, gjimnazistët dhe gjimnazistet e Tiranës, që janë kontaktuar prej "Shekulli-Kontakt" u janë përgjigjur 1 në 3, se seks kanë bërë që në moshën 16-17-vjeçare. Në lidhje me seksin nëpër shkolla, mund të thuhet se sipas dëshmive të grumbulluara prej nesh, nuk kemi ndonjë rast konkret që të jenë kryer marrëdhënie intime nëpër klasat apo banjot e shkollave. Të dashuruarit mundet që të puthen apo përqafohen deri tek ndonjë ledhatim, por jo më tepër. Vendet e preferuara janë shtëpitë e mbetura bosh të adoleshentëve kur prindërit u largohen me ndonjë sebep dhe ata shfrytëzojnë rastin për të organizuar party, apo për të kaluar disa orë me të dashurit e tyre, ose dhe gjithë natën, "në rastet më fatlume". Shumica e atyre që na u rrëfyen, pohojnë se përdorin prezervativë, më tepër për frikën e shtatzënisë sesa të ndonjë rreziku tjetër. Por, këtu ka një degëzim interesant. Në një shkollë private që futëm në vëzhgimin tonë, mes vajzave ishte përhapur ideja që "përdorimi i prezervativit nga partneri, është fyes". Mentaliteti ka ardhur, me ç'kuptuam, nga "konsultimet" me një nxënëse të klasifikuar në shkollë në moshë më të madhe se të tjerat dhe që kishte marrë rolin e "ekspertes seksologe" të shkollës. Një vende tjetër, për marrëdhëniet seksuale janë motelet, por shumë prej të pyeturve konfirmojnë se nuk bëhet fjalë për motele në periferi ose larg Tiranës, por për motele brenda qytetit.
***
Deri para dy vjetësh janë parë të "fortë" brenda shkollës, që kanë mbajtur deri edhe revole në brez dhe madje e reklamonin. Dy vitet e fundit, fenomeni, për fat të mirë është zhdukur thuajse plotësisht, sipas dëshmive. Por, thika dhe armë të sajuara të ftohta, gjen me shumicë. Madje, disa nga ata që i mbajnë, janë kthyer dhe në mjeshtra të thikave... "Bëjnë numra cirku me to në klasë",- ishte njëra nga dëshmitë... Më e përhapura është një tip thike, e quajtur "Flutur" (quhet kështu sepse ka dy bishta dhe një teh në mes të mprehtë). Në gjimnazet "Asim Vokshi", "Besnik Sykja" e "Petro Nini Luarasi", ka armë të tilla me shumicë brenda shkollës. Nuk mungojnë dëshmitë e reklamimit të thikave edhe në sy të mësuesve. Teksa interesohemi për vendin ku adoleshentët gjejnë thikat, ata tregojnë se ka plot, duke nisur që nga Tregu Çam, ashtu dhe në Tregun e Madh nga Spitali. Çmimet variojnë për këto thika, nga 5-30 mijë lekë të vjetra.
Policët e Rendit që rrinë pranë dyerve të shkollave të mesme, sipas nxënësve që kemi pyetur, tashmë e kanë marrë "etiketën": Janë "dordolecë".... "Të paktën rojet bëjnë ndonjë punë kur nuk lejojnë të huajt, të hyjnë brenda në korridore, por policët rrinë kot më kot...!", - është njëra nga dëshmitë.
***
Gjithmonë ka qenë një lloj diskriminimi nëpër shkolla, duke nisur që nga ai gjinor, i cili për hir të së vërtetës dhe sipas dëshmive të përmbledhura të gjimnazistëve të kryeqytetit nga "Shekulli-Kontakt", duhet thënë se vazhdon ende. Pra, gjithmonë femrat shihen me më tepër tolerancë nga mësuesit, qoftë në lidhje me vendosjen e notave, mungesat apo edhe sjelljen e tyre. Por diskriminimi ekziston, me ç'mësuam, edhe në mënyra të tjera: P.sh, ka mjaft raste, kur mësues nga rrethet favorizojnë nxënësit që janë nga anët e tyre, më tepër sesa pjesën tjetër. Megjithëse, ndodh edhe që gjimnazistët konviktorë të ardhur nga rrethet, të jenë më të privilegjuar sesa pjesa tjetër, siç tregojnë nxënësit e "Asim Vokshit". Sipas tyre, mësuesit e bëjnë këtë diferencim, për shkak se këta të ardhur më së shumti rrjedhin nga familje të këputura dhe bëjnë sakrifica për të vazhduar shkollën e mesme në Tiranë.
Pjesë nga disa prej dëshmive, të mbledhura në shkollën "Asim Vokshi" dhe "Sinan Tafaj"
Nxënësi A
"Gjatë vitit të dytë, kur zhvillonim mësim në shkollën "Qemal Stafa", mësuam se ishin dy jashtëshkollorë që sillnin drogë brenda në shkollë. Mbaj mend që policia mësoi për ta, por nuk arriti që t'i kapte…".
Nxënësi B
"Drogën e sjell një i jashtëm, ish-nxënës i këtij gjimnazi. Ky ish-nxënës ka shoqëri me disa që janë ende në gjimnaz. Nëpërmjet tyre, shpërndan drogën tek të interesuarit. Shkëmbimi bëhet jashtë mureve të shkollës, gjatë pushimit të gjatë ose një ore të lirë dhe më pas u jepet nxënësve të tjerë...".
Nxënësi C
"Seksi dhe droga, vetëm kam dëgjuar se ekzistojnë... Ndërsa për alkoolin jam i bindur, sepse kam parë nxënës të pirë në klasë".
Nxënësi D
"Kam dëgjuar të flitet për seksin në shkollë, por nuk kam parë vetë... Drogën e konsumojnë të gjitha vitet, sidomos djemtë. Kam parë edhe djem edhe vajza të alkoolizuar".
Nxënësi E
"Droga po, sepse kam parë çuna duke pirë cigare me hashash, por edhe vajzat nuk përjashtohen dhe nga të gjitha vitet.
Alkooli po, sepse vijnë nxënës të dehur në shkollë...
Dhuna është midis nxënësve dhe jo mësues-nxënës. Diskriminohen nxënësit që janë me ngjyrë dhe fshatarët".
Nxënësi F
"Për seksin kam dëgjuar.
Drogën, të gjithë djemtë e kanë provuar dhe shumica e pinë. Në një çantë të një vajze, kam parë vetë drogë.
Alkooli nuk konsumohet brenda shkollës por jashtë, në lokale, kur nuk kemi mësim.
Dhuna është e pranishme sepse shohim shumë shpesh, nxënës që zihen me njëri tjetrin".
Nxënësi G
"Droga po… Nuk e di si e fusin në shkollë. Përgjithësisht e bëjnë këtë nxënësit e vitit të katërt dhe të tretë. Duken nga mënyra si sillen dhe sa të ç'rregullt vijnë në klasë.
Alkooli brenda në shkollë nuk konsumohet se nuk kanë mundësi, ndërsa jashtë edhe mundet... nuk e them me bindje, sepse kemi lokale afër.
Diskriminim? Po sidomos në shkollën tonë ku ka shumë studentë nga rrethet. Diskriminohet shumë edhe një djalë që sillet si gey por edhe për faktin që është tepër ezmer, më duket se është rom".
Nxënësi H
"Droga? Po, merret hashash nga djemtë. Njihen edhe nga mësuesit, sepse ndryshojnë sjellje kur kanë pirë. Por, sidomos i kuptojmë nga era që mbajnë. Kur në vit të dytë ishim në turnin e pasdites, në shkollën "Qemal Stafa" kishte dy jashtëshkollorë që vinin dhe shisnin drogë, brenda ambienteve të shkollës.
Seksi? Jo në ambientet e shkollës. Njoh shoqe që kanë të dashur dhe kanë pasur marrëdhënie me `ta por, për aq sa di, jo në shkollë".
-ADMIN-
No comments:
Post a Comment